Në seancën e katërt të Këshillit Ekonomik-Social, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi theksoi rëndësinë e riaktivizimit të dialogut trepalësh midis Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve, i cili paraqet mekanizëm thelbësor për kohezionin social dhe përparimin ekonomik. Ai përshëndeti përfaqësuesit e rinj të Konfederatës së sindikatave të lira, me çka, suç u shpreh, rikthehet legjitimiteti i Këshillit.
Ministri informoi se procedura për përcaktimin e përfaqësueshmërisë së sindikatave u përfundua me sukses – çështje kjo që për një periudhë të gjatë kohore bllokoi funksionimin normal të KES-it. Njëherësh, janë propozuar ndryshime në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat ulet pragu i përfaqësueshmërisë nga 10 në 5 për qind, me qëllim që të nxitet një dialog social më gjithëpërfshirës dhe pluralist.
Në fokusin e seancës ishte edhe Plani i rishikuar operativ i punësimit për vitin 2025. Me ndryshimet e bëra:
- numri i personave të përfshirë me masat e vetëpunësimit rritet nga 1.730 në 2.545 persona;
- buxheti për këto masa rritet nga 16,08 milionë euro në 23,58 milionë euro;
- buxheti i përgjithshëm i planit arrin 42,6 milionë euro dhe do të përfshijë 16.872 persona të papunë.
Mjetet janë siguruar përmes ridedikimit të zërave të pashfrytëzuara buxhetore dhe me rebalanc të Buxhetit.
Ministri Durmishi prezantoi edhe procesin për përpilimin e një metodologjie të re, zyrtare për llogaritjen e shportës konsumatore, të bazuar në të dhëna të verifikueshme dhe relevante nga Anketa e konsumit të amvisërive, të zbatuar nga Enti Shtetëror i Statistikës. Shporta e re do të shërbejë si bazë për ndërtimin e politikave në lidhje me pagën minimale dhe transferimet sociale dhe do të harmonizohet me standardet evropiane.
Lidhur me kërkesat për përcaktimin e pagës minimale në një shumë fikse, ministri potencoi se kjo do të kërkonte ndryshim të ligjit, por edhe se Qeveria duhet të mbrojë edhe interesat e bashkësisë së biznesit.
“Asnjëherë nuk kemi qenë kundër rritjes së pagave – përkundrazi, po punojmë që të kemi një standard më të mirë për qytetarët duke mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes investimeve dhe masave nga Plani operativ. Vitin e kaluar janë rritur tashmë pagat në disa sektorë – shëndetësi, arsim, polici. Por, duhet marrë parasysh se paga minimale rregullohet me ligj, me kritere të qarta dhe të dakorduara, të miratuara me pëlqimin e të gjithë partnerëve socialë, duke përfshirë edhe punëdhënësit. Ne nuk mund të udhëheqim ekonomi me masa të njëanshme. Paga minimale duhet të ndjekë rritjen e produktivitetit – në të kundërtën, ne rrezikojmë efekte inflatore që nga ana tjetër kërkojnë ndërhyrje të reja", shtoi ai.
Lidhur me inflacionin, ministri bëri të ditur se në muajin qershor ka qenë 0,8% (krahasuar me 1,5% në muajin maj), gjë që është sinjal pozitiv për stabilizimin e çmimeve. Rritje më të madhe shënojnë transporti, disa nga produktet bujqësore dhe mallrat e bursës së aksioneve, po me koordinim të kujdesshëm me Bankën Popullore dhe Ministrinë e Financave, pritet të ruhet stabiliteti i çmimeve.
Në fund, ministri tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj rritjes ekonomike, mbrojtjes së punëtorëve dhe politikave të balancuarasociale, duke theksuar se vetëm përmes dialogut konstruktiv me të gjithë partnerët socialë mund të miratohen politika cilësore dhe të qëndrueshme.