Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Durmishi: Paga minimale do të harmonizohet ligjërisht dhe në mënyrë të qëndrueshme

Durmishi: Paga minimale do të harmonizohet ligjërisht dhe në mënyrë të qëndrueshme

Në sesionin e pestë të sotëm të Këshillit Ekonomiko-Social (KES), u diskutuan çështjet kryesore që lidhen me tregun e punës, standardin e jetesës dhe dialogun social. Harmonizimi i qëndrimeve midis Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve mbetet parim themelor në krijimin e politikave ekonomike dhe sociale. 

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, e prezantoi progresin në përgatitjen e Planit operativ për programet dhe masat aktive për punësim për vitin 2026, me buxhet të përgjithshëm prej 2,39 miliardë denarë. Theksi është vënë në të rinjtë, në trajnimet për shkathtësi që i kërkon tregu i punës dhe në përfshirjen e kategorive të rrezikuara, veçanërisht personat me arsim të ulët ose pa arsim formal. 

“Qëndrimi i Ministrisë në lidhje me pagën minimale është i qartë dhe i bazuar në të dhënat zyrtare. Inflacioni tregon stabilizim, ndërsa harmonizimi i përcaktuar me ligj në muajin mars mbetet mekanizmi i vetëm i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për rritjen e pagës minimale", deklaroi ministri Durmishi. 

Ai theksoi se shuma e pagës minimale llogaritet përmes formulës transparente – 50 për qind e rritjes së pagës mesatare dhe 50 për qind e rritjes së shpenzimeve për jetesë, me garanci ligjore se nuk mund të jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare neto, si model i dakorduar në kuadër të KES-it dhe i harmonizuar me praktikat evropiane. 

Ministri paralajmëroi se rritja e menjëhershme dhe e paplanifikuar e pagës minimale, pa lidhshmëri me produktivitetin dhe kapacitetet reale ekonomike, mund të krijojë presion mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke shtuar se qëllimi i Qeverisë ishte rritja graduale, e qëndrueshme dhe e parashikueshme. 

Dialogu social vazhdon, ndërsa Këshilli Ekonomiko-Social mbetet platforma kryesore për harmonizimin e qëndrimeve në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.


Accessibility Menu