Shkup, 3 shtator 2026
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot vizitoi kompanitë “Vitalia Nikolla”, “Polyesterday” dhe “BB Kontinent Metal”, të cilat janë përfituese të mbështetjes financiare në përputhje me Ligjin për Mbështetje Financiare të Investimeve.
Vizita është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për të ndjekur realizimin e investimeve dhe për të zhvilluar komunikim të drejtpërdrejtë me kompanitë që shfrytëzojnë mbështetjen shtetërore për zhvillimin dhe avancimin e veprimtarisë së tyre.
“Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve është një nga instrumentet kryesore përmes të cilit shteti i mbështet kompanitë që investojnë, rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, si dhe krijojnë vende të reja pune. Synimi ynë është që mbështetja publike të ketë efekt konkret dhe të matshëm në ekonomi, përmes rritjes së prodhimit, teknologjive të reja, shtimit të eksportit dhe krijimit të vendeve më të mira të punës”, theksoi ministri Durmishi.
Me ndryshimet ligjore, të cilat zbatohen nga 1 janari i vitit 2026, janë përcaktuar më qartë kushtet për përfitimin e mbështetjes financiare. Mbështetja u dedikohet investimeve fillestare produktive në veprimtaritë prodhuese të industrisë përpunuese, ndërsa pragu minimal është përcaktuar në 100 mijë euro, në kundërvlerë të denarit.
Ligji parashikon mbështetje financiare për disa kategori investimesh dhe aktivitetesh, përfshirë punësimet e reja, investimet kapitale, kërkimin dhe zhvillimin, projektet investuese me interes të rëndësishëm ekonomik, si dhe aktivitetet për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive.
Për punësimet e reja parashikohet mbështetje financiare deri në 20 për qind të pagës neto të paguar, përkatësisht deri në 4.400 euro në vit për çdo të punësuar të ri. Për investimet kapitale, mbështetja mund të arrijë deri në 10 për qind të shpenzimeve të arsyetuara të investimit, me një shumë maksimale prej një milion eurosh në vit. Ndërkaq, për kërkim dhe zhvillim parashikohet mbështetje deri në 50 për qind të shpenzimeve të arsyetuara, gjithashtu deri në një milion euro.
“Veçanërisht e rëndësishme është se sistemi nuk bazohet vetëm në ndarjen e mjeteve, por edhe në arritjen e rezultateve. Kompanitë duhet të realizojnë investim fillestar produktiv dhe rritje të të ardhurave të përgjithshme nga veprimtaria, ndërsa numri mesatar i të punësuarve nuk duhet të ulet për më shumë se pesë për qind krahasuar me gjendjen fillestare të përcaktuar në marrëveshje”, tha Durmishi.
Me ndryshimet e vitit 2026 është fuqizuar edhe roli i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në ndjekjen e realizimit të marrëveshjeve. Ministria e mbikëqyr zbatimin e tyre gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë dhe përgatit raporte për Qeverinë. Në këtë mënyrë sigurohen kontroll, llogaridhënie dhe efikasitet më i madh në shfrytëzimin e mjeteve publike.
“Sot jemi drejtpërdrejt në kompani për të parë se çfarë do të thotë kjo mbështetje në praktikë, cilat investime janë realizuar, çfarë rezultatesh janë arritur dhe cilat janë planet e tyre për të ardhmen. Për ne është e rëndësishme t’i dëgjojmë kompanitë dhe nevojat e tyre, sepse vetëm përmes partneritetit ndërmjet shtetit dhe biznesit mund të krijojmë klimë më të mirë investuese dhe afariste”, shtoi ministri.
Durmishi theksoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbeten të përkushtuara për krijimin e një sistemi të parashikueshëm, transparent dhe efikas për mbështetjen e investimeve, me kritere të qarta dhe efekte ekonomike të matshme.
“Duam që çdo denar i mbështetjes publike të shndërrohet në investim të ri, produktivitet më të lartë dhe vlerë të re ekonomike. Kompanitë vendore të fuqishme dhe konkurruese janë baza e një ekonomie të fortë, e rritjes së eksportit, e krijimit të më shumë vendeve cilësore të punës dhe e një standardi më të lartë jetese për qytetarët”, përfundoi Durmishi.