Tetovë, 12 nëntor 2026
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot vizitoi kompaninë “Kiel Maqedoni” në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale të Tetovës, ku u njoh nga afër me kapacitetet prodhuese, investimet e reja dhe planet për zgjerimin e mëtejshëm të veprimtarisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Kiel Maqedoni”, e cila është pjesë e Grupacionit gjerman Kiel, operon në vend që nga viti 2017 dhe aktualisht punëson rreth 190 persona në dy kapacitetet e saj prodhuese në Tetovë dhe Zhelinë. Kompania vazhdimisht e zgjeron prodhimin, ndërsa investimet e deritanishme në objektin ekzistues në ZZHTI Tetovë tejkalojnë 11 milionë euro.
Në fokus të vizitës ishte linja e re plotësisht e automatizuar për lyerjen me pluhur të komponentëve metalikë, një investim me vlerë prej rreth 1,5 milionë eurosh, e cila ndodhet në fazën përfundimtare të testimit para fillimit të prodhimit të rregullt.
Me këtë investim, kompania kompleton procesin e prodhimit dhe përpunimit të komponentëve metalikë në kapacitetin e saj në Tetovë, duke mundësuar efikasitet më të madh prodhues dhe zgjerim të mëtejshëm të veprimtarisë. Në linjën e re tashmë janë angazhuar pesë të punësuar, ndërsa me futjen e planifikuar të dy ndërrimeve shtesë krijohen mundësi për punësime të reja.
“Jam veçanërisht i kënaqur që sot shohim një kompani e cila jo vetëm që operon me sukses në vendin tonë, por vazhdon të investojë, të zgjerojë prodhimin dhe të krijojë mundësi të reja punësimi. Pas çdo investimi qëndrojnë njerëzit, njohuritë, puna dhe përkushtimi i tyre. Pikërisht të punësuarit janë vlera më e madhe e kompanive dhe forca shtytëse e zhvillimit ekonomik. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte për vende pune të qëndrueshme dhe cilësore, për zhvillim profesional të punëtorëve dhe për rritje të vazhdueshme të të ardhurave të tyre”, theksoi ministri Durmishi.
Ai nënvizoi se zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe futja e teknologjive të reja janë veçanërisht të rëndësishme për konkurrueshmërinë e ekonomisë së Maqedonisë.
“Për ne është e rëndësishme që kompanitë të cilat tashmë kanë investuar në Maqedoni vendosin që pikërisht këtu të zhvillojnë edhe fazat e ardhshme të prodhimit të tyre. Kjo nënkupton teknologji të reja, vlerë të shtuar në ekonominë vendore dhe mundësi të reja për punëtorët tanë. Çdo vend i ri pune është i rëndësishëm, ndërsa çdo zgjerim i prodhimit është mundësi për zhvillim më të madh ekonomik. Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, mbetemi të përkushtuar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe krijimin e kushteve për investime të reja dhe të qëndrueshme”, u shpreh Durmishi.
“Kiel Maqedoni” prodhon komponentë dhe sisteme ulësesh për sektorin e autobusëve dhe atë hekurudhor, ndërsa produktet e saj janë pjesë e zinxhirëve ndërkombëtarë të prodhimit të kompanive si “Siemens”, “Alstom”, “Stadler” dhe “VDL Van Hool”.
Me zgjerimin e prodhimit të komponentëve metalikë, që filloi në vitin 2025, dhe instalimin e linjës së re të automatizuar, kompania forcon më tej kapacitetin e saj prodhues në vend.
Ministri Durmishi theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të mbështesë politika që synojnë nxitjen e investimeve të reja, rritjen e produktivitetit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.