Shkup, 13.11.2025
Me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për mbështetjen financiare të Investimeve në muajin gusht të këtij viti dhe me ndryshimet plotësuese që do të finalizohen deri në fund të vitit, po krijohet një kornizë e qëndrueshme, e qartë dhe transparente, e cila do të mundësojë investime më cilësore, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e produktivitetit në ekonomi, deklaroi ministri Besar Durmishi.
Këto ndryshime ligjore do të kontribuojnë në rritjen e përshpejtuar ekonomike dhe në një standard më të lartë jetese për qytetarët, që do të thotë rroga më të larta dhe inflacion më të ulët.
“Qëllimi ynë është që, përmes masave të reja, të nxisim investime me vlerë të shtuar më të lartë – investime që do ta zhvillojnë industrinë prodhuese, do të sjellin teknologji dhe inovacione të reja dhe do të krijojnë vende pune të qëndrueshme”, shtoi ai.
Ligji i përcakton në mënyrë të saktë subjektet që mund të përfitojnë mbështetje financiare – bëhet fjalë për kompani që realizojnë një investim fillestar prej të paktën 100.000 euro, në kuadër të industrisë përpunuese.
Njëkohësisht, përjashtohen subjektet që ushtrojnë veprimtari në bujqësinë primare, pylltari dhe peshkim, si dhe ato që kryejnë aktivitete ndërtimore të lidhura me ndërtimin dhe shitjen e banesave dhe objekteve afariste, pasi këto sektorë nuk bëjnë pjesë në klasifikimin e industrisë përpunuese.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka rol udhëheqës në të gjithë procedurën – nga vlerësimi dhe nënshkrimi i kontratave deri te monitorimi i realizimit të tyre. Në këtë mënyrë sigurohen vazhdimësia, kontrolli dhe llogaridhënia në përdorimin e mjeteve publike.
Me zbatimin e ligjit, i cili fillon më 1 janar 2026, priten rezultate konkrete dhe të matshme. Ministria mbetet e përkushtuar ndaj krijimit të një klime të parashikueshme dhe mbështetëse të biznesit, në të cilën çdo investitor – vendor ose i huaj – do të ketë sigurinë se shteti qëndron pas tij.