Shkup 30.06.2026
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në konferencën e sotme për media me rastin e dy viteve të punës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës prezantoi rezultatet kryesore, reformat e zbatuara dhe politikat që në periudhën e kaluar kishin për qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, rritjen e punësimit, përmirësimin e klimës afariste dhe mbështetjen e investimeve.
"Sot nuk jam këtu për të folur për vlerësimet politike. Jam këtu për të folur për rezultatet. Në dy vitet e fundit, kemi realizuar politika që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, kompanitë dhe zhvillimi ekonomik i shtetit", theksoi ministri Durmishi.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se në kushte të sfidave ekonomike globale, ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit dhe krizave gjeopolitike, Ministria reagoi në kohën e duhur me masat e synuara të stabilizimit të tregut, duke përfshirë kufizimin e marzheve tregtare dhe vendosjen e shportave konsumatore, me qëllim lehtësimin e presionit mbi buxhetet familjare dhe parandalimin e goditjeve të pajustifikuara të çmimeve.
Në të njëjtën kohë, siç bëri të ditur, Qeveria punon në stabilizimin strategjik afatgjatë të tregut përmes koordinimit me të gjitha institucionet kompetente, prodhuesit, tregtarët dhe odat ekonomike, në mënyrë që të vërejë me kohë rreziqet dhe të sigurojë mjedis të parashikueshëm ekonomik.
Në fushën e politikave të punësimit, ministri theksoi se janë realizuar me sukses planet operative të punësimit për vitet 2024, 2025 dhe 2026. Vetëm në vitin 2025, u siguruan më shumë se 2,5 miliardë denarë për masa aktive të punësimit, me ç'rast u realizuan mbi 2 miliardë denarë. Veçanërisht të suksesshme ishin masat për vetëpunësimin, praktikë, rikualifikim dhe hapje të vendeve të punës.
Një nga rezultatet më domethënëse ishte implementimi i suksesshëm i Garancisë për të rinjtë, përmes së cilës 26.636 të rinj dolën nga regjistri i papunësisë përmes punësimit, arsimit ose përfshirjes në masa aktive.
Për vitin 2026, janë siguruar 2,41 miliardë denarë përmes Planit të ri operativ, i cili do të mbulojë 10.352 qytetarë përmes granteve për vetëpunësim, mbështetje për kompanitë e reja, punësim të subvencionuar, praktikë, trajnime për profesione deficitare, mbështetje për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmë për të rinjtë.
Ministri gjithashtu iu referua reformave në fushën e punës, duke informuar se më shumë se 20 zgjidhje ligjore janë miratuar ose ndryshuar në periudhën e kaluar. U riaktivizua Këshilli Ekonomik-Social, sërish u vendos në funksion Komisioni për përcaktimin e përfaqësueshmërisë, ndërsa me ndryshimet ligjore është ulur pragu i përfaqësueshmërisë së sindikatave nga 10 në 5 për qind, duke rivendosur kështu një dialog funksional social midis Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve.
Me qëllim të përmirësimit të mjedisit afarist, Ministria realizoi aktivitete të rëndësishme në kuadër të Agjendës reformuese. Janë optimizuar 28 taksa parafiskale, janë hartëzuar dhe digjitalizuar 100 procedura administrative, si dhe është përgatitur Strategjia kombëtare për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për periudhën e viteve 2025-2030.
Ministri theksoi se Ministria kishte marrë përsipër përgjegjësi të reja në fushën e mbështetjes financiare të investimeve, me ç'rast në Buxhetin për vitin 2026 janë siguruar 1 miliard e 230 milion denarë për të mbështetur kompanitë që investojnë, hapin vende të reja pune dhe krijojnë vlerë të shtuar.
Si shembull konkret të politikës së suksesshme investuese ishte Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale Tetovë, ku kompanitë në vitin 2025 realizuan prodhim me vlerë mbi 6,4 miliardë denarë dhe eksport prej pothuajse 8,9 miliardë denarë, me gjithsej 1.845 të punësuar. Njëherësh, u paralajmërua investimi i ri i kompanisë CAVO Otomotiv, me vlerë 21 milionë euro, i cili do të hapë rreth 550 vende të reja pune.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se Ministria punon në mënyrë aktive edhe në përmbushjen e detyrimeve reformuese që lidhen me integrimin evropian përmes zbatimit të projekteve IPA, harmonizimit të legjislacionit me standardet evropiane, forcimit të konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
"Ne jemi të vetëdijshëm se mbeten sfida të shumta, por jam i bindur se reformat që kemi nisur janë themel i fortë për një ekonomi më konkurruese, më inovative dhe më rezistuese. Vazhdojmë me të njëjtin qëllim – më shumë investime, më shumë vende pune, kompani më të forta dhe standard më të mirë jetese për çdo qytetar”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.