Më 30.10. të vitit 2026, në Bruksel, u mbajt Mbledhja e njëzet e dytë e Nënkomitetit për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Takimi u bashkëkryesua nga z. Jumni Ademi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe z. Frederik Svinen, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian.
Sekretari shtetëror z. Jumni Ademi theksoi angazhimin e Qeverisë për zbatimin e reformave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me të drejtën e BE-së, si dhe zbatimin aktiv të Agjendës reformuese në kuadër të Planit të rritjes 2024–2027. Ai veçanërisht theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me Komisionin Evropian përmes Nënkomitetit.
Në kuadër të takimit u shqyrtua ecuria e vendit në fushat e politikës fiskale, punës doganore, politikës industriale, ndërmarrjeve, turizmit dhe tregtisë, si dhe harmonizimi i legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Në fushën e tatimeve, Komisioni Evropian përshëndeti miratimin e Ligjit për zbatimin e Direktivës së Shtyllës së dytë dhe theksoi nevojën për zhvillimin e sistemeve tatimore të TI-së dhe shkëmbimin automatik të informacioneve financiare në përputhje me standardet e OECD-së. Në fushën doganore, u konstatua përparim në zbatimin e sistemit SEED+, rregullave të rishikuara të PEM dhe lehtësimin e procedurave doganore, me rekomandimin për miratimin e shpejtë të Kodit të ri doganor.
Në fushën e industrisë dhe turizmit, u theksua përgatitja e Strategjisë industriale për vitin 2027, Strategjia kombëtare për turizmin 2027–2032 dhe thjeshtimi i veprimtarisë afariste, me theks në transformimin digjital dhe të gjelbër dhe bashkëpunimin rajonal. BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i vendit, me pjesëmarrje prej 76% në eksport dhe 50,1% në import. U përshëndet harmonizimi me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe pjesëmarrja në CEFTA-n.
Lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave, Komisioni theksoi nevojën për harmonizim me legjislacionin evropian, forcimin e kapaciteteve administrative dhe lidhjen e Marrëveshjes për vlerësimin e konformitetit.
Të dyja palët riafirmuan rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve reformuese, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe intensifikimit të bashkëpunimit drejt harmonizimit të mëtejshëm me legjislacionin evropian dhe përmbushjes së detyrimeve nga procesi i integrimit evropian.