Në Berlin u nënshkrua “Deklaratë e përbashkët” për qëllimin e bashkëpunimit ekonomik midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Energjetikës të Republikës Federale të Gjermanisë
Me këtë hapet kapitull i ri në thellimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimit tregtar dhe investues midis dy vendeve.
Në këtë aktivitet mori pjesë Sekretari shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Jumni Ademi, i cili theksoi se deklarata paraqet konfirmim të qartë të angazhimit të përbashkët për partneritet më të fortë në kushte të një ekonomie komplekse globale.
“Në një kohë të ndryshimeve të shpejta teknologjike, zinxhirëve të çrregulluar të furnizimit dhe nevojës së shtuar për tranzicion të gjelbër, një bashkëpunim i këtillë është kyç për sigurimin e zhvillimit stabil dhe të qëndrueshëm ekonomik”, theksoi Ademi.
Ai vuri në dukje se transformimi ekonomik ishte në thelbin politikës së zhvillimit të shtetit, me udhëzim të qartë drejt zhvillimit të industrive me vlerë të shtuar më të lartë, prodhim modern dhe shërbime të avancuara.
"Qëllimi ynë është të ndërtojmë bazë industriale konkurruese dhe të orientuar nga eksporti, që do të mund të pozicionohet në tregjet rajonale dhe globale, duke krijuar produkte me vlerë të shtuar më të lartë dhe zgjidhje të qëndrueshme," theksoi sekretari shtetëror.
Në fjalën e tij, Ademi theksoi se Qeveria mbështet në mënyrë aktive kompanitë përmes politikave dhe masave konkrete, duke u mundësuar atyre modernizimin e proceseve të prodhimit, vendosjen e teknologjive të reja dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore.
Gjithashtu, ai iu referua rëndësisë së zgjidhjeve ligjore që ofrojnë mbështetje të qëndrueshme dhe të parashikueshme për investitorët, duke përfshirë edhe nxitjen për punësime të reja, mbështetje për kërkimin dhe zhvillimin, si dhe mbështetje për investimet strategjike.
Në fushën e inovacioneve dhe transformimit digjital, Ademi theksoi se Qeveria punon në mënyrë aktive për të krijuar ekosistem dinamik që do të nxiste zhvillimin e teknologjive të reja, startap-eve dhe sipërmarrësisë.
“Konkurrueshmëria afatgjatë nuk mund të arrihet pa fokus të fortë në inovacionet dhe digjiitalizimin. Kjo është arsyeja pse investojmë në zhvillimin teknologjik, kërkimin dhe krijimin e kushteve për rritjen e ekosistemit të startap-eve", bëri të ditur Ademi.
Ai theksoi edhe Programin për nxitjen e inovacioneve, zhvillimin shkencor-teknologjik dhe sipërmarrësinë 2026-2029, me buxhet prej 12 milionë eurosh, si instrument i rëndësishëm për të mbështetur projekte inovative, si dhe iniciativën “Greenening Business Facility” me vlerë prej 25 milionë euro, që do të kontribuojë në transformimin e gjelbër të kompanive.
Theks i veçantë iu kushtua zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe rinisë.
"Krijimi i vendeve cilësore të punës dhe të paguara mirë për të rinjtë është prioriteti ynë. Përmes masave aktive të punësimit, trajnimeve dhe mbështetjes për sipërmarrësinë, punojmë për ndërtimin e një fuqie punëtore moderne dhe konkurruese”, theksoi Ademi, duke iu referuar Planit operativ të punësimit për vitin 2026, me buxhet prej 40 milionë eurosh.
Në fund, sekretari shtetëror theksoi se partneritete të tilla janë thelbësore për të arritur rritje të qëndrueshme.
"Asnjë ekonomi nuk mund të përparojë e izoluar. Përmes bashkëpunimit të forcuar dypalësh, shkëmbimit të njohurive dhe nismave të përbashkëta, mund të krijojmë mundësi të reja për kompanitë dhe qytetarët tanë”, konkludoi Ademi.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në promovimin e bashkëpunimit ekonomik me Republikën Federale të Gjermanisë, si një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.