Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski sot realizoi takim pune me përfaqësuesit e odave më të mëdha ekonomike, Odës Ekonomike, Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Në takimet, Risteski prezantoi para të pranishmëve masën nga thirrja publike "Punësim dhe rritje të subjekteve juridike" në kuadër të Planit operativ të punësimit, përmes të cilës jepet mbështetje në krijimin e vendeve të reja të punës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërmarrjet sociale dhe organizatat civile.
- Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet për Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa sivjet, përmes Planit operativ për programet dhe masat Aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2026, po krijojmë më shumë se 3.500 vende të reja pune. Me masën "Punësim dhe rritje të subjekteve juridike" sigurojmë mbështetje për kompanitë për rritjen e numrit e të punësuarve, këtë vit me këtë masë do të përfshihen 1.385 persona, ndërsa buxheti i përgjithshëm arrin 332.650.000 denarë ose rreth 5,4 milionë euro", tha zëvendësministri Risteski.
Me thirrjen publike, një kompani mund të aplikojë për mbështetje financiare për më së shumti 5 vende pune dhe mbështetje të përgjithshme nga 800.000 denarë në 1.250.000 denarë në varësi të grupit qëllimor dhe numrit të punësimeve të aprovuara. Këtë vit, mbështetja më e madhe financiare prej 250.000 denarësh është parashikuar për punësimin e një të riu deri në moshën 29 vjeç.
Risteski dhe përfaqësuesit e odave ekonomike u bënë thirrje të gjitha kompanive që kanë interes dhe plotësojnë kushtet e parashikuara për të aplikuar në ndonjë nga qendrat e Agjencisë së punësimit.
Thirrja publike është e hapur deri më 24 korrik të vitit 2026
Informacione të detajuara mund të merren në klubet e punës së Qendrave të Punësimit, në telefonin e kontaktit 02/3111-850 si dhe faqet e internetit të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë (https://av.gov.mk/).