Sekretari shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Jumni Ademi, mbajti fjalim në promovimin e raportit të OECD “Indeksi i politikave për NVM-të për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – profili ekonomik për Maqedoninë e Veriut”, të mbajtur në Shkup.
Në fjalën e tij, Ademi theksoi se raporti është vegël e rëndësishme për vlerësimin e përparimit të vendit në krijimin e politikave për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), si dhe udhërrëfyes i rëndësishëm për proceset e ardhshme reformuese.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla e ekonomisë sonë. Ato krijojnë pjesën më të madhe të vendeve të punës, kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe janë burim kryesor i inovacioneve dhe sipërmarrësisë. Prandaj zhvillimi i tyre mbetet një nga prioritetet tona më të larta”, theksoi Ademi.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të përafrojë politikat e NVM-ve me standardet evropiane përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare të NVM-ve 2025-2030, që përqendrohet në forcimin e konkurrueshmërisë, përmirësimin e qasjes në financa dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
Sekretari shtetëror shtoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës punojnë në mënyrë aktive për të përmirësuar mjedisin afarist përmes uljes së barrierave administrative, thjeshtimit të procedurave dhe lehtësimit të qasjes së kompanive në mjete financiare dhe tregje të reja.
"Ne e shohim Indeksin e Politikave për NVM-të jo vetëm si instrument për matjen e rezultateve, por si hartë strategjike për reformat e ardhshme. Rekomandimet e tij na ndihmojnë të përcaktojmë prioritetet, të forcojmë koordinimin institucional dhe të krijojmë kushte më të mira për zhvillimin e kompanive vendore”, theksoi Ademi.
Ai shtoi se vlerësimet pozitive në raportet e fundit ndërkombëtare, duke përfshirë Raportin e të Komisionit Evropian për përparimin e vendit, konfirmojnë se reformat në fushën e mbështetjes së NVM-ve, inovacioneve, digjitalizimit dhe qasjes në financa japin rezultate konkrete.
Në fund të fjalës së tij, Ademi riafirmoi angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për avancimin e mëtejshëm të politikave për NVM-të dhe për ndërtimin e ekonomisë më konkurruese, novatore dhe rezistuese, në të cilën ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të mbeten shtytësi kryesor i rritjes, punësimit dhe zhvillimit.