Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski dhe Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Vllatko Stojkoski realizuan takim pune me Guvernatorin e Bankës Popullore, Dr. Trajko Sllaveski, në të cilin diskutuan për treguesit kryesorë makroekonomikë në shtet, stasbilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si dhe flukset e inflacionit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se ekonomia është e qëndrueshme dhe ka regjistruar rritje solide, ndërsa kursi i qëndrueshëm i denarit kundrejt euros është faktor i rëndësishëm për ruajtjen e besimit në ekonominë, stabilitetin financiar dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore.
Lidhur me inflacionin dhe fluktimet e çmimeve, bashkëbiseduesit vlerësuan se për disa muaj me radhë tashmë shënohet stabilizim i lëvizjeve të çmimeve, ndërsa pritet që këto trende të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme. Projeksioni i Bankës Popullore është se inflacioni vjetor do të arrijë 2,5 për qind, derisa në periudhën afatmesme do të kthehet në 2 për qind historik.
Risteski, Stojkoski dhe Sllaveski u pajtuan se bashkëpunimi dhe koordinimi i mirë midis Bankës Popullore, Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë të rëndësishme për miratimin dhe zbatimin e një pjese të politikave me të cilat nxitet zhvillimi ekonomik i vendit.
Zëvendësministri Risteski përgëzoi Guvernatorin Sllaveski dhe të punësuarit në Bankën Popullore për jubileun e madh - 80 vjet nga formimi i këtij institucioni, jubile ky që dëshmon për zhvillimin afatgjatë, dinamik institucional. Banka Popullore është institucion modern, profesional dhe i besueshëm, me nivel të lartë besimi te publiku dhe reputacion të njohur në qarqet financiare ndërkombëtare dhe të bankave qendrore.