Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski mbajti fjalim sot në konferencën trepalëshe “TË FORCUAR – zhvillim i politikave për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara” të organizuar nga Shoqata “Instituti për Zhvillimin e Komunitetit”, në bashkëpunim me Asociacionin Gjerman Arbeiter-Samariter-Bund për Evropën Juglindore, Fondacionin Preda Plus dhe ADRF (Albanian Disability Rights Foundation).
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova nga sektori civil, autoritetet kombëtare dhe lokale, përfaqësues të sektorit privat dhe organeve ndërkombëtare, ku u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit për inkluzion gjithëpërfshirës dhe thelbësor të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Risteski iu referua politikave dhe masave që i zbaton Ministria e Ekonomisë dhe Punës për të mbështetur punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ndërsa aktivitetet kryesore realizohen përmes Planit operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës.
- Plani operativ është dokument gjithëpërfshirës ku parimet themelore të tij janë parimet e diversitetit dhe inkluzivitetit në përputhje me parimet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, në kuadër të standardeve dhe praktikave të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Përmes këtij plani operativ, ne ofrojmë disa masa, e më e rëndësishmja është masa “Mbështetje për punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, ku çdo vit ne ndajmë mjete financiare për të mbështetur punësimin e personave me aftësi të kufizuara, përshtatjen e vendeve të punës dhe prokurimin e pajisjeve për të lehtësuar ushtrimin e detyrave të tyre të punës, dhe shumë masa të tjera – tha Risteski.
Zëvendësministri Risteski shtoi se drejtësia dhe inkluziviteti duhet të jenë parimet kryesore në krijimin e politikave kombëtare, meqë vetëm në këtë mënyrë do të krijojmë shoqëri dhe ekonomi që sigurojnë mundësi të barabarta, kushte të drejta pune, si dhe qasje më të lehtë në tregun e punës për të gjithë.