Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, sot realizoi takime pune me përfaqësues të sektorit të biznesit dhe shoqatave të zejtarëve në Dellçevë dhe Berovë.
Gjatë takimeve, Risteski, së bashku me përfaqësues nga Agjencia për Punësim, para të pranishmëve prezantuan masat për mbështetjen e ekonomisë maqedonase dhe kompanive, të cilat ofrohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, si dhe nga Agjencia për Punësim, përmes Planit Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbimet në tregun e punës për vitin 2025.
Gjatë takimeve, Risteski u ndal te një pjesë e masave që zbaton Ministria e Ekonomisë dhe Punës për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për mbështetjen e zejtarëve dhe odave të zejtarisë.
-Ministria e Ekonomisë dhe Punës, përmes programeve të saj të punës, ndan mjete financiare për mbështetjen e ndërmarrjeve maqedonase, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgjegjësisë së tyre shoqërore, digjitalizimin e proceseve të punës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në veprimtarinë e tyre. Edhe këtë vit, në mënyrë të vazhdueshme po ofrojmë mbështetje për odat e zejtarisë, përmes përkrahjes së projekteve, si dhe për zejtarët përmes sigurimit të mjeteve financiare për furnizimin e pajisjeve dhe veglave të punës. Si Qeveri, jemi këtu për t'ju mbështetur në rritjen dhe zhvillimin tuaj, prandaj apeloj që të ndiqni konkurset dhe thirrjet publike që shpallen nga Qeveria dhe ministritë, dhe nëse keni interes dhe mundësi, të aplikoni në to – tha zëvendësministri Risteski.
Zëvendësministri Risteski dhe zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Punësim, Vesna Peshova, u bënë apel të pranishmëve në të dy takimet që të ndjekin shpalljet e Agjencisë për Punësim dhe të aplikojnë në thirrjet publike për masat e Planit Operativ për vitin 2025, i cili këtë vit ka një buxhet rekord prej mbi 40 milionë euro.
Gjatë takimeve, përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhanë mendime pozitive lidhur me masat e Qeverisë dhe ministrive për mbështetjen e kompanive, ndërsa nga ana e tyre u paraqitën edhe disa ide dhe propozime për zhvillim më të mirë të ekonomisë në rajonin e Maleshevës.