Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë rol kyç në rritjen ekonomike, inovacionin dhe stabilitetin social. Si shtet, mbështesim dhe krijojmë politika për rritjen dhe zhvillimin më të madh të tyre, porositi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski në Konferencën “Lansimi i Indeksit të politikave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 2026 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, që po mbahet këto ditë në Budvë.
Në kuadër të Konferencës, zëvendësministri Risteski mori pjesë në panel diskutimi me temë "Qëndrueshmëria dhe rezistenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme" me fokus në politikat që mbështesin tranzicionin e gjelbër, përdorimin efikas të burimeve, qasjen në financim të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e shkencës me biznesin për rritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
- Kërkimi shkencor dhe biznesi nuk duhet të trajtohen si kategori të veçanta, ato duhet të kenë bashkëpunim më të madh, dhe kërkimi duhet të përdoret si vegël e drejtpërdrejtë për t'i bërë bizneset më të qëndrueshme, më të mençura, më konkurruese dhe më të gjelbra. Mundësia më e madhe për bashkëpunim më të fortë midis hulumtimit dhe biznesit është transformimi i njohurive dhe strategjive ekzistuese në inovacion real, praktik që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund ta përdorin me të vërtetë – tha Risteski.
Ai shtoi se Qeveria formon kornizën strategjike si bazë, e cila përbëhet nga Strategjia Kombëtare e Zhvillimit, Strategjia e NVM-ve, Strategjia e Specializimit të Mençur dhe Udhërrëfyesi i Ekonomisë Cirkulare të zhvilluar me OECD-në, dhe se kjo kornizë është udhërrëfyesi i politikave të ardhshme për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Maqedoni.
- Në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, kemi përgatitur Strategjinë Kombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025-2030, strategji kjo që lidh të gjitha fushat - konkurrueshmërinë, inovacionin, tranzicionin e gjelbër, shkathtësitë dhe qëndrueshmërinë. Kjo siguron që të gjitha planet dhe instrumentet tona për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të mos jenë të izoluara, por pjesë e një sistemi të koordinuar politik", shtoi Risteski.
Konferenca “Lansimi i Indeksit të politikave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 2026 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” u organizua nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), dhe u ndoq nga ministrat përgjegjës për zhvillimin e biznesit, konkurrueshmërisë dhe çështjet ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, vendeve anëtare të OECD dhe BE-së, Komisionit Evropian, si dhe përfaqësues të organizatave partnere ndërkombëtare dhe rajonale.