Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Takim i sekretarëve shtetërorë Ademi dhe Shimonjak: Mundësi të reja për tregti, investime dhe reforma të tregut midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë

Takim i sekretarëve shtetërorë Ademi dhe Shimonjak: Mundësi të reja për tregti, investime dhe reforma të tregut midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Jumni Ademi, realizoi sot në Shkup takim dypalësh me sekretarin shtetëror të Ministrisë së Ekonomisë të Republikës Sllovake, Vlladimir Shimonjak. Në takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimin e përvojave në reformat dhe hapjen e mundësive të reja për investim dhe tregti midis dy vendeve.

Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut është në fazën e zbatimit të reformave të gjera ekonomike dhe të tregut si pjesë e procesit të aderimit në Bashkimin Evropian. Struktura e re e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, e cila bashkon politikën ekonomike dhe të punës, mundëson koordinim më efektiv të masave për punësim, mbrojtjen e të drejtave të punës dhe zhvillimin e sektorit privat.

Viteve të fundit, vendi shënoi përparim të dukshëm: shkalla e papunësisë në vitin 2024 është ulur në 12,4%, ndërsa te të rinjtë arrin 29%. Përkundër sfidave me ekonominë joformale dhe mungesës së shkathtësive përkatëse, Maqedonia e Veriut mbetet ekonomi e hapur dhe e orientuar drejt eksportit, me prodhimin si shtyllën kryesore të tregtisë së jashtme.

Investimet e huaja direkte në vitin 2024 tejkaluan shumën prej një miliard euro, gjë që konfirmon besimin e investitorëve, veçanërisht në sektorët e komponentëve të automobilave, elektronikës dhe industrisë së lehtë – më së shpeshti me vendndodhje në zonat e lira ekonomike.

Marrëdhëniet ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Sllovake janë në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2024, eksporti maqedonas në Sllovaki tejkaloi 200 milionë euro (kryesisht tela të izoluar, pjesë të automobilave dhe makina), derisa eksporti sllovak në vendin tonë arriti 80 milionë euro. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar është rritur me normë vjetore prej 37% që nga viti 2017, gjë që tregon potencial të fortë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit industrial dhe integrimin e dy ekonomive në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Dy sekretarët shtetëror ranë dakord se Republika Sllovake, si shembull i suksesshëm i tranzicionit në ekonomi konkurruese evropiane, është partner i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut. Veçanërisht relevante janë përvojat sllovake në reformën e tregut të punës, modernizimin e rregullativave, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve.

Si fusha prioritare të bashkëpunimit veçohen:

- Përmirësimi i klimës afariste dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave për reduktimin e barrierave administrative, nxitjen e inovacioneve, klasterëve dhe mbështetjen e eksportit;

- Bashkëpunimi industrial, tregtia dhe investimet, me fokus në lidhjen B2B midis kompanive maqedonase dhe sllovake dhe promovimin e investimeve sllovake në zonat e lira ekonomike dhe sektorët prioritarë të prodhimit;

- Mbikëqyrja e tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve, përmes forcimit të bashkëpunimin institucional dhe shkëmbimit të përvojave në digjitalizimin e mbikëqyrjes, zbatimin e modeleve të bazuara në rrezik dhe harmonizim me standardet evropiane për siguri dhe konkurrencë të drejtë.

Maqedonia e Veriut pret mbështetje nga pala sllovake në përmirësimin e sistemeve rregullatore dhe inspektuese, digjitalizimin e mbikëqyrjes së tregut, formalizimin e ekonomisë joformale dhe zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse të punësimit, të bazuara në praktikat më të mira sllovake.

Në takim, u shpreh gatishmëri e përbashkët për të nënshkruar Memorandum dypalësh mirëkuptimi, i cili do të vendosë kornizë për bashkëpunimin të strukturuar dhe afatgjatë institucional midis dy ministrive, si dhe për pjesëmarrjen e përbashkët në programet evropiane për ndihmë teknike dhe projekte twinning.

 

Accessibility Menu